KALAJA E PREZES

KALAJA E PREZES

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi majën e një kodre dhe ofron një pamje fanatastike mbi fushën e Tiranës. Ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XV nga Topiajt, familja që zotëronte zonën, dhe ka pasur si funksion ruajtjen e rrugës së rëndësishme tregtare që lidhte Durrësin, me Krujën dhe Shkodrën. Kalaja ka formën e një pesë-këndëshi të çrregullt, me 4 kulla të rrumbullakëta nëpër qoshe dhe me 1 kullë drejtkëndëshe pranë mesit të njërit prej mureve, e cila ka shërbyer edhe si portë. Me mure që arrijnë deri në 6,40 m lartësi, Kalaja ka një gjatësi prej 80 m dhe një gjërësi prej 50 m. Fakti që në oborrin e saj është ndërtuar vetëm një sterrë e madhe tregon që kështjella ka qenë më së shumti një fortifikim ushtarak e nuk është banuar. Pas pushtimit otoman të Shqipërisë, kalaja u riparua dhe mbi portën hyrëse u ndërtua një xhami. Më vonë, me shumë gjasa në shekullin XX, mbi muret e kalasë u ndërtua edhe një kullë sahati.